Gjërat e Maradonës janë tashmë në qendër të vëmendjes dhe polemikave, siç ndodh shpesh edhe vetëm pak ditë pas vdekjes së një personazhi ndërkombëtar.
Ish-mesfushori i Anglisë, Steven Hodge, ka thënë se fanella ikonë e Argjentinës, e mbajtur nga Maradona në çerekfinalet e Kupës së Botës të 1986-ës, ajo e Mano de Dios dhe e Golit të shekullit, nuk është në shitje.
58-vjeçari anglez e mori fanellën duke e shkëmbyer me El Pibe de Oro në tunel, në fund të asaj ndeshjeje historike. Hodge ka dashur të shmangë akuzat, pas një jave të sikletshme të kaluar duke refuzuar oferta të shumta dhe duke u përballur me zëra që kanë thënë se ai do të përtonte nga situata për t’u pasuruar.
Fanella tani ndodhet në National Football Museum të Manchester dhe, sipas vlerësimeve të ekspertëve, vlera e saj mund të jetë rreth dy milionë euro.
“E kam mbajtur për 34 vite dhe nuk kam provuar asnjëherë ta shes”, ka deklaruar Hodge për BBC Radio Nottingham. “Më pëlqente ta kisha. Ka një vlerë të jashtëzakonshme sentimentale”.
Duke kujtuar atë çerekfinale historike të Kupës së Botës në stadiumin Azteca, anglezi ka pranuar: “Po, Maradona na ka shkaktuar dhimbje në 1986-ën, por në çdo anë të globit respektohej dhe njerëzit vlerësonin gjeniun e tij. Ajo ndeshje nuk do të harrohet kurrë në historinë e futbollit”.
Ka qenë pikërisht Hodge që ka dhënë pasimin mbrapa drejt portierit Peter Shilton, që Maradona e kapi me Dorën e Zotit:
“Nuk e kam fajësuar kurrë për atë prekje të topit me dorë. Kurrë. Ishte i parregullt, por kushdo që ka luajtur futboll, e di se ndonjëherë e provon”.