Edinson Cavani mund të jetë subjekt i një hetimi nga Federata Angleze e Futbollit, pasi dyshohet se përdori një term fyes racor në një postim të tij në rrjetet sociale. Sulmuesi i Manchester United erdhi nga pankina për ta nderuar ekipin e tij në fitoren 3-2 kundër Southampton, të dielën. “Djajtë e Kuq” ishin në disavantazhin 2-0, kur bomberi uruguajan u hodh në fushë, në pjesën e dytë, dhe ishte pjesë e përmbysjes së bujshme.
33-vjeçari ndau disa nga mesazhet pozitive që mori nga tifozët, pas fitores, dhe iu përgjigj një postimi me mesazhin “Gracias negro” (faleminderit i zi). Shumë shpejt, Cavani e fshiu postimin. Termi që ka përdorur Cavani është i njëjti i Luis Suarez, që thuhet se e ka përdorur gjatë grindjes së tij me Patrice Evra në tetor 2011, gjë që rezultoi në pezullimin me 8 ndeshje të ish-yllit të Liverpool-it dhe gjobitje me 40.000 £.
FA dhe Manchester United nuk kanë komentuar ende për këtë çështje. Cavani u bashkua me ekipin e “Old Trafford” si transferim i lirë në tetor dhe ka shënuar 3 gola në 5 paraqitje si zëvendësues në Premier League. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer ishte plot lëvdata për sulmuesin, pas ndikimit të tij në ndeshjen e së dielës: “Ai është një nga më të mirët për shkak të përvojës dhe cilësive që posedon si sulmues”.
Kapiteni i Manchester United, Harry Maguire, shkoi aq larg sa e referoi uruguajanin si një shembull për sulmuesit e tjerë: “Ai ka qenë pa skuadër për disa muaj, kështu që po hyn në lojë dhe po e kap ritmin. Cavani është një profesionist i shkëlqyeshëm. Është i shkëlqyeshëm për sulmuesit që ka përreth dhe ashkëlojtarët në dhomën e zhveshjes. Mendoj se e patë sot atë që ai sjell në klub”.