Skuadra e Prishtinës është kampion i Kosovës për stinorin 2020/21.
FC Prishtina ka fituar kampionatin një xhiro para fundit, pas triumfit ndaj Gjilanit në javën e kaluar.
Megjithatë, FC Prishtina do ta luajë edhe një ndeshje. Prishtina do të përballet nesër me Ballkanin në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri i Ballkanit, Adrian Basha ka konfirmuar se klubi i tij do t’ia bëjë gardën e nderit skuadrës së Prishtinës.
“Karakteri i skuadrës sonë është aq i formuar, sa ne shkojmë në çdo ndeshje për fitore dhe nuk ka rëndësi nëse është ndeshja e parë apo e fundit. Po, ky karakter natyrisht që na udhëzon që të sillemi sikur sportistë dhe do t’i bëjmë korridorin e nderit, natyrisht”, tha Basha për “GazetaBlic Sport”.
Prishtina dhe Ballkani luajnë nesër nga ora 15:00.