Muaji shtator është ndoshta më i rëndësishmi për Kombëtaren shqiptare që nga viti 2016 kur u kualifikuam për në finalet e Europianit në Francë. Kuqezinjtë do të luajnë dy ndeshje jetike përballë dy rivalëve kryesor në grup, Çekinë jashtë dhe Poloninë në ‘Air Albania’.
Aktualisht mbajmë vendin e dytë në grup me 6 pikë, 1 më pak se çekët kryesues dhe 3 më shumë se polakët e vendit të katërt. Në këtë mënyrë, 4 pikë i sigurojnë thuajse matematikisht kualifikimin në Euro 2024, megjithatë, Sylvinho do të ‘firmoste’ edhe vetëm për një barazim me Poloninë.
Niveli i kësaj ndeshje ka reflektuar edhe në tribuna. ‘Air Albania’ do të jetë SOLD – OUT. Mësohet se janë shitur plot 22.500 bileta, aq sa është edhe kapaciteti i stadiumit dhe shifra e arkëtuar është një rekord historik për FSHF-në. Diçka më pak se 900 milionë lekë të vjetra do të derdhen në arkat e Federatës.
Shqiptarët anë e mbanë konfirmojnë edhe një herë se janë gjithnjë të gatshëm të vihen në mbështetje të Kombëtares në tribuna.