Jo shumëkush e kishte pritur, por Tyson Fury i la pas vetes të gjithë demonët pas mungesës prej dy vjet e gjysmë dhe e rinisi rrugëtimin për t’u kthyer në maje të kategorisë së peshave të rënda.
Dhe këtë e arriti pas përpjekjes së dytë kundër tashmë ish-kampionit të WBC-së, Deontay Wilder. Amerikani e mbajti titullin e tij herën e parë (dhjetor 2018), pasi gjyqtarët vendosën për barazim.
Mirëpo, herën e dytë, Tyson e nënshtroi atë duke e dominuar secilin raund, duke e rrëzuar dhe duke ia shkaktuar humbjen e parë në karrierën profesionale.
“Dua t’i duartrokas Deontay Wilderit. Ai tregoi zemrën e një kampioni. E godita me një të djathtë të pastër dhe ai u ngrit sërish. Ai është luftëtar, do të kthehet prapë dhe do të bëhet përsëri kampion”.
“Por, më duhet të them se mbreti është kthyer në krye të fronit”, ishin fjalët e Furyt pas shpalljes kampion i botës në kategorinë e peshave të rënda në divizionin WBC.