Pasi u “ftoh” së fundmi pista Felix Magath, Federata e Futbollit të Kosovës ka “peshkuar” në Turqi. Mediat e atjeshme raportojnë se në listë të Kosovës janë dy trajnerët turq, Ersun Yanal e Sergen Yalçin. Kontaktet e para me ta kanë qenë pozitive
Federata e Futbollit të Kosovës po tregohet e ngurtë dhe nuk po jep shumë detaje rreth selektorit të ri të Kombëtares, edhe pse krerët e saj ditëve të fundit janë takuar me disa trajnerë të huaj në vende të ndryshme të Evropës.
Felix Magath konsiderohej si favorit për t’i marrë në dorë “Dardanët”.
Mirëpo, thuhet se kërkesat e trajnerit gjerman ishin të larta dhe të papërballueshme për shtëpinë e futbollit kosovar.
E tash, kjo e fundit ka nisur të “peshkojë” diku tjetër.
Në fakt, dy trajnerë turq tash janë në krye të listës së FFK-së, shkruan “Gazeta Express”.
Për këtë sigurojnë mediat turke.
“Janë dy turq në krye të listës së Federatës së Futbollit të Kosovës. Kosova synon të jetë pjesë e Kampionatit Evropian 2024 dhe dëshiron ta sjell një trajner të rëndësishëm në ekipin e tyre”, shkruan mediumi turk.
Madje, sipas tyre, takimet e para në mes të palëve kanë qenë pozitive dhe shpresëdhënëse.
I pari me të cilin janë takuar ditë më parë krerët e FFK-së është trajneri Ersun Yanal.
60 vjeçari ka përvojë të madhe në futbollin turk, pasi i ka udhëhequr shumë klubet të Superligës turke, por për një kohë të shkurtër edhe vetë Kombëtaren e Turqisë.
Mediumi turk “Takvim” raporton se ish-trajneri i Fenerbahçes është i gatshëm për ta drejtuar ekipin “Verdhekaltër”.
Por, ky medium raporton se ndërkohë dje, drejtuesit e FFK-së e kanë takuar edhe trajnerin tjetër turk, Sergen Yalçin.
49 vjeçari u nda së fundmi me Besiktasin dhe është trajner i ri për momentin, shkruan “Gazeta Express”.
Tash, institucioni më i lartë i futbollit kosovar mund të vendosë në mes të këtyre dy trajnerëve turq.
Ata mund ta pasojnë Bernard Challandesin e shkarkuar në pjesën e dytë të vitit që shkoi.
Përkohësisht, në ndeshjet e nëntorit Kosovën e drejtoi trajneri slloven, Primoz Gliha.
Vlen të theksohet se këto ditë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka qëndruar në Turqi, ku i ka vizituar edhe disa klubet kosovare, të cilat po i kryejnë përgatitjet në këtë vend bregdetar.
Nuk dihet nëse vizita e tij në Turqi ka të bëjë edhe me punën e selektorit.
Por, para Turqisë, ai ka qenë në Gjermani dhe në Zvicër, ku ka pasur takime për këtë punë edhe me trajnerë të tjerë.