Peja-Trepça do të jetë kryendeshja e xhiros së 17-të në Superligën e Kosovës në basketboll.
Mitrovicasit shkojnë në palestrën “Karagaqi” në krye të tabelës, me 14 fitore e dy humbje, derisa pejanët janë të dytit me 12 fitore e katër humbje.
Nga një fitore kanë të dy ekipet në duelet e ndërsjella këtë sezon.
Trepça është në seri fantastike duke arritur nëntë fitore radhazi. Kjo përballje luhet të shtunën nga ora 19:00.
Po të shtunën, por dy orë më herët zhvillohet një tjetër ndeshje derbi.
Në kryeqytet, Sigal Prishtina e pret Golden Eagle Ylli. Përballë njëra tjetrës janë ekipi i tretë dhe i katërt i tabelës.
Në fakt, të dy ekipet kanë nga 10 fitore e gjashtë humbje dhe kush fiton të shtunën e rrëmben vendin e tretë.
Nga një fitore kanë secili ekip në dy duelet direkte të këtij edicioni.
Të dielën, nga ora 17:00, Vëllaznimi e pret Proton Cable Prizrenin në palestrën “Shani Nushi”.
Pas tri humbjeve radhazi, gjakovarët kërkojnë të rikthehen tek fitorja në shtëpi dhe të vazhdojnë ta mbajnë pozitën e pestë.
Momentalisht, kuq e zinjtë kanë shtatë fitore e nëntë humbje.
Në krahun tjetër, Prizreni ndodhet i parafundit me pesë fitore e 11 humbje.
Dueli i fundit zhvillohet mes Istogut e Bashkimit, nga ora 19:00.
Në përballje janë ekipi i fundit i tabelës dhe ai i gjashti. Istogu ka vetëm një fitore dhe atë e ka arritur pikërisht ndaj Bashkimit. Në krahun tjetër, prizrenasit kanë pesë fitore dhe 11 humbje.