Nedim Bajrami do të largohet nga Sasuolo. Fantazisti kuqezi pati një sezon për tu harruar, që kapi kulmin kur ekipi i tij u rrëzua në Serinë B pas 11 vitesh.
Edhe pse ka kontratë deri në vitin 2027, “Panorama Sport” mëson se Bajrami mund të largohet minimalisht për 3 milionë euro, pikë kjo që ka qenë mes kontratës që futbollisti ka me klubin e Sasuolos.
Nga sa mësohet, janë dy ekipe të Serisë A që mund të blejnë kartonin e Bajramit. Bolonja është ajo që ka bërë ofertë për 25-vjeçarin, e cila njëkohësisht është e interesuar edhe për shërbimet e Armando Brojës dhe pse jo të dy lojtarët e Kombëtares mund të luajnë bashkë sezonin që vjen.
Te Bolonja pritet trajner Vinçenco Italiano, i cili e ka kërkuar edhe më parë fantazistin, kur ishte pjesë e Fiores. Ndërkohë, ekipi i dytë është Fiorentina që ka hapur një kapitull të ri, duke prezantuar në stol Paladinon e Monzës dhe një lojtar si Bajrami mund të përshtatej shumë mirë në skemat e trajnerit të ri. Pritet të shihet se kë do të zgjedhë Bajrami, pasi të dyja skuadrat nuk e kanë problem një shifër prej 3 milionë eurosh.