Dy ndeshjet e fundit të stinorit në Superligë, në Suharekë luftohet për kampionin dimëror

Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e mbetura të xhiros së 18-të, e cila edhe e përmbyll stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll.

E për koincidencë, pikërisht sot do të zhvillohet edhe ndeshja përcaktuese për ekipin që do të dimërojë si lider këtë sezon në elitën e futbollit kosovar.

Në Suharekë, Ballkani do ta mirëpres ekipin e Ismet Munishit, Gjilanin.

Të dy ekipet kane garuar fyt a fyt me njëri-tjetrin gjatë pjesës së parë të sezonit dhe fitorja sot do t’ia garantonte vendin e parë deri në fillimin e stinorit pranveror.

Ballkani hyn në këtë ndeshje pas tri fitoreve radhazi, madje duke mos pranuar asnjë gol.

Në anën tjetër, Gjilani vjen pas fitores ndaj Malishevës (3:1) dhe synon ta mbyllë si lider stinorin vjeshtor.

Përveç këtij derbi, sot zhvillohet po ashtu edhe një takim tjetër.

Dukagjini do të udhëtojë për t’u përballur me Malishevën në ndeshjen jetike për mbijetesë.

Momentalisht, Dukagjini gjendet i parafundit (9) me 17 pikë dhe nuk ka shënuar fitore në katër ndeshjet e fundit, ku ka tri barazime dhe një humbje.

Kurse Malisheva është dy pozita më lartë me 18 pikë gjithsej dhe hyn në këtë ndeshje pas humbjes së fundit ndaj Gjilanit.

Fitorja eventuale do ta largonte Dukagjinin nga zona e rrezikshme, kurse në rast se Malisheva i ndal tri pikët do t’i ikte vendeve të rrezikshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *