Fama e Armando Brojën ka kaluar kufijtë e Premier Ligës. Edhe klube të tjera shumë të rëndësishme në Evropë janë vënë në ndjekje të yllit të Kombëtares sonë.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave britanike, dy gjigantët e Gjermanisë, Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit, kanë shfaqur interes për shërbimet e sulmuesit të Çelsit, i cili është huazuar në këtë sezon te Sauthemptoni.
Broja ka zhvilluar një sezon fantastik deri më tani. Njëzetvjeçari ka mundur të shënojë 6 gola, të fundit në takimin e javës së kaluar në Premier përballë Totenhemit.
Këtyre dy golave u shtohen edhe dy të tjerë në Kupë, duke e çuar në tetë numrin e rrjetave të realizuara me “Shenjtorët”.
Trajneri i Sauthemptonit, Ralf Hazenhytel, ia ka bërë të qartë klubit se e do Brojën në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm ose, më mirë akoma, që klubi të blejë përfundimisht kartonin e tij.
Por te “Shenjtorët” e kanë të qartë se nëse Broja do të vijojë me këto ritme deri në mbyllje të sezonit, vështirë se do të mund ta mbajnë. Shumë klube të rëndësishme në Premier dhe klube të mëdha në Europë po ndjekin nga afër progresin e tij.
Përpara transferimit te Sauthemptoni në formë huazimi, Broja firmosi një kontratë të re 5-vjeçare me Çelsin, që e sheh të rëndësishëm për të ardhmen e klubit.
Madje, Chelsea mund të jetë përfituesi i madh nëse do të vendosë ta shesë lojtarin, me vlerën e tij që është rritur ndjeshëm pas dy sezoneve mjaft të mira në Holandë në sezonin e kaluar dhe në Premier në këtë sezon me Sauthemptonin.
Por veç Bajernit dhe Dortmundit që po e ndjekin në distancë sulmuesin kuqezi, e ardhmja e tij mund të jetë në Premier tek Arsenali.
Sipas gazetës “Daily Express”, Armando Broja duket i tunduar nga ideja për t’iu bashkuar “Topçinjve”. “Express Sport” ka bërë me dije gjithashtu se Broja është i gatshëm për një lëvizje të tij në verë, ndonëse vetë ai publikisht nuk ka dashur të zbulojë më shumë rreth së ardhmes së afërt të tij.