“AS”: Valon Berisha dhe Bersant Celina janë të infektuar me koronavirus

Sot është dita e ndeshjes (e mërkurë). Përfaqësuesja e Kosovës është gati për përballjen e parë të saj në histori ndaj Kombëtares së Spanjës. Kjo ndeshje është e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Gazeta e famshme spanjolle, AS, gjatë ditëve të fundit në fokus ka pasur skuadrën “dardane”, për të cilën ka raportuar në detaje.

Sipas artikullit të gazetës spanjolle të botuar më 30 mars (e martë) , Valon Berisha dhe Bersant Celina nuk do të paraqiten kundër Spanjës për shkak se janë të infektuar me koronavirus.

“Për Kosovën është i suspenduar Bernard Berisha pas kartonit të kuq me Suedinë. Valon Berisha dhe Bersant Celina nuk do të luajnë (koronavirus), pra mund të jetë mundësi që Besar Halimi dhe Vedat Muriqi të jenë dyshja e sulmit”, thuhet në artikullin e AS, transmeton Insporti.com.

Megjithatë, sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, Valon Berisha mungoi ndaj Suedisë për shkak të një lëndimi. Berisha ka udhëtuar me skuadrën për në Sevilla, madje dje ka stërvitur por përzgjedhësi Bernard Challandes ka deklaruar në konferencën për shtyp se ende nuk e di sa a do të mund të llogaritë në shërbimet e tij.

Ndërsa, sa i përket Celinës nuk ka ndonjë informacion zyrtar se ai është infektuar me koronavirus. Ai ishte titullar në humbjen nga Suedia të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Përfaqësuesja e Kosovës sonte do jetë mysafire e Spanjës në ndeshjen e grupit B.

Ndeshja do të zhvillohet në Sevilla me fillim të orës 20:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *