Sot zhvillohen edhe dy ndeshjet e mbetura të xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Në Klinë zhvillohet sfida mes dy ekipeve të fundit të tabelës.
Dukagjini e pret Feronikelin në ndeshjen që nis nga ora 13:00. Fitorja është e rëndësishme për të dy skuadrat, të cilat xhiro pas xhiro po mbesin me pikë mbrapa në luftën për mbijetesë.
Kurse, me fillim nga ora 13:30 do të zhvillohet derbi i kësaj xhiroje. Gjilani do të jetë nikoqir i kampiones në fuqi, Prishtinës.
“Plisat” nuk e kanë nisur mirë sezonin dhe pas 12 xhirove renditen në vendin e gjashtë me 16 pikë, tetë më pak se lideri aktual, Ballkani.
Në anën tjetër, Gjilani gjendet në vendin e tretë me 21 pikë, tri më pak se Ballkani.
Me fitore prej tre e më shumë golave, Gjilani i Ismet Munishit mund ta marrë primatin në Superligë.