Dukagjini ka shënuar fitore me rezultat të pastër 2-0 në udhëtim ndaj Feronikelit ’74 në kuadër të javës së katërt në elitën e futbollit kosovar.
Fillimi i ndeshjes ishte i qetë me të dyja skuadrat që prisnin ndonjë gabim eventual të njëra-tjetrës për të shfrytëzuar.
Të besuarit e Ismet Munishit arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 12-të falë golit të Ilir Sylës që shënoi për 1-0.
Ndeshja mes dy skuadrave në ndërkohë u ndërpre për pak kohë për shkak se tifozët vendas tentuan të futeshin në fushë.
Me epërsi minimale të Dukagjinit përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Në pjesën e dytë klinasit arritën që të gjejnë edhe golin e qetësisë në minutën e 58-të kësaj radhe përmes Ebrima Jattas që realizoi për 2-0.
Deri në përfundim të ndeshjes nuk pati më gola dhe Dukagjini mori fitoren e dytë radhazi ndërsa për Feronikelin’74 kjo ishte humbja e katërt në po aq ndeshje.
Pas javës së katërt Dukagjini gjendet në vendin e dytë me gjashtë pikë të grumbulluara, ndërsa Feronikeli ’74 renditet e fundit në tabelë me 0 pikë.