Drita shkruan historinë: Kualifikohet për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

Kampioni i Kosovës në futboll, Drita, ka arritur një arritje historike duke siguruar kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, një sukses i jashtëzakonshëm për klubin gjilanas dhe futbollin kosovar.

Pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë në Prishtinë, skuadra e Zekirija Ramadanit udhëtoi drejt Luksemburgut për të zhvilluar ndeshjen e kthimit kundër Differdange me një epërsi të vogël, por të rëndësishme.

Që nga fillimi i takimit, Drita tregoi dominim të plotë, kjo fal edhe Andreas Buch, numri 9 i Differdange, që u ndëshkua me karton të kuq.

Minuta e 7-të solli një rast të pastër për Differdange, por portieri Faton Maloku reagoi në mënyrë fantastike, duke pritur një gjuajtje të fortë ballore.

Më vonë, në minutën e 26-të, Ilir Mustafa goditi traversën, ndërsa Veton Tusha në kohën shtesë me kokë ishte afër golit.

Në fillim të pjesës së dytë, momenti vendimtar erdhi në minutën e 62-të, kur Besnik Krasniqi shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke çuar Dritën në avantazh 1-0.

Ky gol forcoi edhe më shumë epërsinë totale prej 3-1 dhe vendosi një presion të madh mbi Differdange.

Pas golit, Differdange u hodh në sulm për të tentuar të rikthente shpresat, por Faton Maloku ishte i pakalueshëm. Ai bëri dy pritje vendimtare, duke mbrojtur portën e Dritës dhe duke ruajtur epërsinë deri në fund. Edhe minutat e gjata të lojës shtesë nuk sollën ndryshime në rezultat.

Në minutën e 94-të, Kristal Abazaj pati një rast të pastër për të vulosur gjithçka, por portieri Felipe reagoi në mënyrë të shkëlqyer.

Me fitoren e ndeshjes së kthimit 1-0 dhe rezultatet e përgjithshme 3-1, Drita ka shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit kosovar, duke u bërë skuadra e dytë nga Kosova që arrin fazën e grupeve në një garë evropiane, pas Ballkanit.

Kjo arritje është një moment historik për klubin, qytetin e Gjilanit dhe gjithë tifozët e futbollit kosovar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *