Drita – Prishtina do të jetë ndeshja me vëmendjen më të madhe në fundjavën e Superligës së Kosovës.
Të dielën, në qytetin e Gjilanit, me fillim nga ora 14:00, luhet derbi mes Dritës dhe Prishtinës.
Kjo ndeshje do të jetë e 47-a zyrtare mes dy skuadrave, në periudhën e pasluftës.
Sipas statistikave të publikuara nga faqja zyrtare e Prishtinës, ‘bardhekaltrit’ kanë fituar 21 nga 46 ndeshjet e luajtura, kurse 16 herë skuadrat janë ndarë baras dhe nëntë herë ka fituar Drita.
Goldallimi shkon në të mirë të Prishtinës, 61:35/ +26.
Në 19 ndeshjet e zhvilluara në Gjilan, përballjet janë të barabarta me nga 4 fitore të dy skuadrave dhe 11 barazime me goldallim në të mirë të Prishtinës, 18:16.
Rezultati më i shpeshtë i përballjes në Gjilan është barazimi 1:1, plotë 8 herë.
Mbetet të shihet se cili do të jetë rezultati i ndeshjes së 47-të mes dy skuadrave. Kujtojmë se të dyja kalojnë në formë të mirë dhe janë në pjesën e epërme të tabelës.