Drita e ka paralajmëruar Prishtinën, përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook, se derbin e fundjavës do ta luajnë vetëm për fitore dhe se për këtë gjë janë të vetëdijshëm edhe futbollistët e klubit gjilanas.
Derbi i xhiros së 22-të të IPKO Superligës do të jetë ai në mes të Dritës dhe Prishtinës. Të dyja skuadrat po luftojnë për titull të kampionit dhe iu nevojiten gjithsesi tri pikët për ta ndjekur liderin, Ballkanin, transmeton Gazeta Express.
Gjilanasit vijnë në këtë ndeshje nga humbja në Therandë, kurse prishtinasit nga fitorja me Ferizajn në mesjavë.
“Ekipi ka bërë të gjitha përgatitjet për ndeshjen e nesërme përball ekipit të Prishtinës. Kjo ndeshje luhet për t’u fituar andaj të gjithë lojtarët e ekipit janë të vetëdijshëm për këtë gjë dhe janë të gatshëm për këtë ndeshje”, shkruhet në postimin e Dritës.
“E rëndësishme është që ekipi do të jetë i kompletuar dhe nuk do të ketë asnjë mungesë!”.
“Nuk do të mungojnë as INTELEKTUALËT që nuk kanë munguar asnjëherë, pavarësisht motit me shi dhe kjo do të jetë arma më e fortë e ekipit!”
“Rezultati zhgënjyes në ndeshjen e fundit tani më i përket së kaluarës dhe për këtë ndeshje na jep detyrim që të marrim pikët e plota!”