Klubi i Volejbollit Drita e ka filluar me humbje kampanjën e sivjetme evropiane.
Skuadra bardhekaltër nga Gjilani, u mposht 3:0 nga ekipi çek Selmy Brno, në ndeshjen e parë të 1/16 të Kupës së CEV.
Edhe pse ndeshja filloi me rivalitet të ngushtë dhe me Dritën që dha sinjale të mira në hapje të takimit, ky ritëm nuk vazhdoi deri në fund të setit të parë.
Në fund çeket arritën të shkëputen duke e kufizuar Dritën në 14 pikë (25:14).
Periudha e dytë solli lojë më të kënaqshme të klubit gjilanas.
Përkundër oscilimeve në lojë, paraqitja e Dritës në këtë set ishte më këmbëngulëse dhe arrin të përmirësojë dukshëm bilancin, sado që ngeci 25:19.
Pas avantazhit prej 2 me 0 në sete, Selmy Brno ishte më e relaksuar në setin e tretë, derisa gjilanaseve i duhej vetëm fitorja e setit të tretë, për ta mbajtur gjallë shpresën për befasi.
Por cilësia e ekipit lider në elitën çeke, bëri që ato të mos lënë hapësirë për gabime.
Në setin e tretë Selmy Brno fillimisht shkëputet në 15:10, e në fund për ta fituar këtë set me rezultat 25:18.
KV Drita 0:3 VK Selmy Brno (14:25, 19:25, 18:25)