Drenica triumfon me përmbysje ndaj Prishtinës, Trepça ’89 e mund bindshëm Dukagjinin

Janë mbyllur dy takimet e ditës së sotme në kuadër të javës së tetë kampionale në Superligën e Kosovës në futboll.

Drenica ka marrë pikët e plota falë fitores 2:1 kundër Prishtinës në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

“Kuqezinjtë” fituan me përmbysje në rezultat ndaj kryeqytetasve, me këta të fundit që krijuan epërsi në minutën e 52-të me mesfushorin Genc Hamiti.

Megjithatë, nikoqirët nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat me golin e Gavazajt në minutën e 76-të.

Nëntë minuta më vonë, të besuarit e trajnerit Bekim Shotani gjetën edhe golin e dytë dhe të fitores nga penalltia të cilën e konkretizoi Abazaj.

Me këtë fitore, Drenica ngritet në vendin e katërt me 11 pikë, aq sa ka edhe Prishtina një pozitë më lart.

Trepça ’89 në ndeshjen tjetër ka fituar bindshëm 3:0 kundër Dukagjinit që njëherit ia vazhdoi klinasve ecurinë negative në fazën e parë të kampionatit.

Gashi zhbllokoi shifrat pas 18 minutave në të mirë të 89-shit në stadiumin “Riza Lushta”.

Për golin e sigurisë për “Minatorët” u përkujdes Rrahmani në minutën e 30-të.

Në listën e golashënuesve për vendasit u regjistrua edhe sulmuesi Mba që vulosi epilogun e takimit.

89-shi me këtë triumf zë vendin e pestë me nëntë pikë, ndërsa Dukagjini është i fundit me vetëm dy pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *