Presidenti Agim Ademi së bashku me anëtarët e KE-së, Ismajl Ajeti e Mirsad Çollaku dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu kanë qëndruar sot për vizitë në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Prizren.
Në këtë takim përfaqësuesit e këtij regjioni i dhanë përkrahje presidentit Ademi dhe KE të FFK-së për reformat, strategjinë e re të futbollit dhe digjitalizimin, derisa e mbështeten edhe mbajtjen e Kuvendit të Punës nëpërmjet platformës online.
Drejtuesit e FFK-së më pas kanë qëndruar edhe në komunën e Dragashit, ku u pritën nga nënkryetari Selami Sahiti me strukturat e tjera të komunës, derisa më pas vizituan klubet dhe infrastrukturën sportive të kësaj komune.
Me këtë rast u arrit pajtueshmëria që të ndihmohet kjo komunë me 36 fshatrat e saj me projekte të ndryshme për fëmijët dhe klubet e kësaj ane.
Presidenti Ademi theksoi se FFK nuk do ta lë asnjëherë anash këtë komunë, pasi ajo është pjesë e rëndësishme dhe piktoreske e Kosovës me shumë talente të futbollit.
Njëherësh, ai ftoi drejtuesit e kësaj komune që të angazhohen edhe me MKRS-në për realizimin e projekteve të përbashkëta, e që për qëllim kanë ofrimin e kushteve sa më të mira për të rinjtë që ata ta shfaqin talentin e tyre në sport, e veçmas në futboll.