Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, ka këmbëngulur se sulmuesi Lautaro Martinez nuk është në shitje dhe se nëse Barcelona e do vërtetë atë, atëherë duhet patjetër ta paguajë klauzolën e lirimit të tij në vlerë 111 milionë euro.
Sulmuesi argjentinas është synimi kryesor i Barcelonës, i cili shihet si pasues i Luis Suarezit në Camp Nou, dhe Barça thuhet të ketë arritur marrëveshje personale me të duke i ofruar pagë vjetore prej 10 milionë euro, transmeton Gazeta Express.
Lautaro është në treg momentalisht dhe kushton 111 milionë euro, por klauzola e tij do të skadojë më 15 korrik.
Edhe pse Barcelona ka ofruar lojtarë të ndryshëm si pjesë të marrëveshjes së mundshme për ta blerë Lautaron, Ausilio ka këmbëngulur se 22-vjeçari largohet vetëm nëse klauzola e tij paguhet.
“Sa i përket Martinezit, ai largohet vetëm në një mënyrë; nëse klauzola e tij paguhet. Një klauzolë për të cilën e dinë të gjithë, nuk kemi pse ta fshehim apo mohojmë, sepse ajo ka afate dhe përkushtime të cilat duhet të plotësohen saktësisht”, tha Ausilio për Sky Italia.
“Është një klauzolë e cila skadon në fillim të korrikut, prandaj nuk do të zgjatë shumë. Kjo është mënyra e vetme për ta marrë Lautaron nga Interi sot”, shtoi ai.