Drejtori sportiv i Ballkanit, Avni Bytyçi e ka kritikuar nivelin e referimit në ndeshjen e sotme kundër Flamurtarit.
Në kuadër të javës së 24-t në Superligën e Kosovës, Ballkani barazoi pa gola në Prishtinë kundër Flamurtarit, duke dështuar edhe njëherë të rikthehet në vendin e parë në tabelë.
Që prej rikthimit të futbollit kosovar pas pandemisë COVID-19, Ballkani ka tre ndeshje rresht që luan pa gola, duke dështuar deri më tani të arkëtojë pikë të plota.
Drejtori sportiv i klubit nga Suhareka, Avni Bytyçi në një bisedë me “Zeri.info”, ka thënë se niveli i referimit në ndeshjen e sotme në kryeqytet ka ndikuar në rezultat.
“Sinqerisht jam i qetë dhe e kam princip të mos kritikoj askënd, por t’i kërkoj dhe korigjoj gabimet në skuadrën tonë. Megjithatë, kam parë sot gabime në referim dhe mendoj se ka ndikuar në rezultatin e ndeshjes kur dihet që ne dhe Flamurtari kemi objektiva të kundërta, dhe rezultati i sotëm i hyri në punë dikujt tjetër”, deklaroi fillimisht Bytyçi.
Tutje, ai thotë se treshja e gjyqtarëve në krye me Kreshnik Vulën, sot ishin me një “mision” në këtë ndeshje.
“Treshja e gjyqtarëve erdhi me mision dhe ata e përfunduan me sukses. Mund ta shiqoni edhe në TV kur ne dilnim vetëm me portierin Ardit Nika, anësorët referonin ‘offside’, kjo është marrëzi. Gjyqtari kryesor vazhdimisht ka provokuar Mirlind Dakun dhe Edvin Kuçin, dhe kjo nuk është korrekte e as profesionale”, tregon më tej drejtori sportiv i Ballkanit.
“Shkurt jemi dëmtuar nga treshja e gjyqtarëve. KF Flamurtari është sjellur shumë korrekt me ne dhe i përgëzoj për mikpritje. Kemi ende punë për të bërë dhe jemi të fokusuar në punën tonë”, vlerësoi Avni Bytyçi.
Për fund, Bytyçi thotë se shpreson që Federata e Futbollit të Kosovës të marrë masa në këtë drejtim.
“Kjo që ndodhi sot e hedhim pas krahëve, dhe nuk do të mendojmë më prapa, por vetëm përpara pasi kemi ndeshje të rëndësishme me Feronikelin në mesjavë, në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës. Uroj që FFK-ja të ndërmerr sa më shpejt hapa dhe të mos i ndodh askujt kjo që na ndodhi ne. Ne sot e merituam fitoren, barazimin ia uroj Flamurtarit”, përfundoi të premten Avni Bytyçi./Gazet-Topi/