Dominon Liverpool, ja top-formacioni i sezonit në Premier League

“Goal.com” ka përzgjedhur top-formacionin e sezonit në Premier League. Bie në sy prania e disa kampionëve të Liverpool-it, ndërkohë që Salah dhe De Bruyne mund të konsiderohen si prijësit e kësaj 11-sheje ideale. Mund të ndesheni edhe me befasi, sikurse i përket portës, ku Alisson dhe Ederson kanë mbetur jashtë kësaj përzgjedhjeje.

Portier
Nick Pope (Burnley)
Ndërsa Alisson dhe Ederson vazhdojnë të vendosin standardin për portierët modernë në Premier League, këtë sezon kanë dalë në pah edhe dy emra shpresëdhënës të Anglisë, që shkëlqyen mes shtyllave. Te Sheffield United, forma e Dean Henderson e ka parë atë të marrë ftesë për ndeshje ndërkombëtare. Madje, disa e shohin si “gardianin” e ri të sigurt në klubin mëmë, Manchester United, duke pasur parasysh “fiaskot” e David de Gea. Sidoqoftë, është Nick Pope, ai që merr fanellën e portierit në këtë top-formacion, pavarësisht se u sfidua nga Ederson për çmimin e “Dorezës së Artë”. Ai ka bërë një numër pritjesh mahnitëse për ta ndihmuar Burnley ta mbyllë kampionatin në gjysmën e pare të renditjes. Pope ka pritur 70 për qind të goditjeve, me të cilat është përballur.

Mbrojtës
Trent Alexander-Arnold (Liverpool)
Duke pasur parasysh nivelet e tij të performancës, është e lehtë të harrohet që Alexander-Arnold është ende vetëm 21 vjeç. Ndërkombëtari anglez shtoi një medalje të fituesit të Premier League në koleksionin e tij, këtë sezon, ndërsa theu rekordin e më shumë asisteve në një sezon nga një mbrojtës, me 13 të tillë. Ai, gjithashtu, shënoi 4 gola.

Virgil van Dijk (Liverpool)
Përsosmëria e qendërmbrojtësit hollandez vazhdon t’i sigurojë Liverpool-it stabilitetin e kërkuar. Asnjë mbrojtës nuk ka regjistruar më shumë “porta të pastra” në këtë sezon sesa Van Dijk (15). Van Dijk është tipi i mbrojtësit, që përshtatet me këdo që është përkrah tij në prapavijën e të kuqve. Ai, gjithashtu, ka shënuar 5 gola, duke përfshirë një dopietë fituese në ndeshje kundër Brighton dhe golin hapës në fitoren e janarit ndaj Manchester United.

Caglar Soyuncu (Leicester City)
Shumë njerëz e vunë në dyshim mundësinë se si Leicester do ta zëvendësonte Harry Maguire, pas largimit të tij drejt Manchester United, verën e kaluar, por Soyuncu e ka kryer më së miri këtë rol. Ndërkombëtari turk ishte një nga shtyllat kryesore të skuadrës së tij, duke fituar interes të dukshëm nga Manchester City, ndër të tjerë. Gjatë rrjedhës së sezonit, ai u tregua i saktë në 90% të pasimeve, ndërsa fitoi dy të tretat e dyluftimeve. Vetëm 24 vjeç, Soyuncu ka të ngjarë të përmirësohet e të arrijë nivelin më të lartë.

Andrew Robertson (Liverpool)
Robertson vazhdon të jetë çelësi i suksesit të Liverpool, me rolin e tij sulmues nga e majta, shumë larg cilitdo rivali tjetër në pozicionin e tij në kampionat. Ndërkombëtari skocez dha 12 asiste gjatë sezonit të Premier League. Ai, gjithashtu, shënoi dy gola.

Mesfushorë
Kevin De Bruyne (Manchester City)
Ndërsa Manchester City ka luftuar për qëndrueshmëri herë pas here, gjatë misionit të dështuar të mbrojtjes së titullit, De Bruyne nuk mund të fajësohet për asgjë. Nivelet e performancës kanë qenë të jashtëzakonshme në planin personal. Ndërkombëtari belg ka shënuar 13 gola dhe ka dhënë 20 asiste në 35 ndeshjet e tij. I pakrahasueshëm me askënd kur bëhet fjalë për krijimin e shanseve të panumërta për të tjerët.

Jordan Henderson (Liverpool)
Futbollisti i Vitit, Henderson, ka shijuar sezonin më të mirë të karrierës së tij, me ndikim të jashtëzakonshëm në fushë dhe jashtë saj. Ndërkombëtari anglez shënoi 4 gola dhe dha 5 asiste për fituesit e titullit, megjithëse udhëheqja e tij ishte cilësi përcaktuese gjatë gjithë kampionatit. Ai shkëlqeu si “8” dhe “6” për “Reds”.

Bruno Fernandes (Manchester United)
Që një lojtar të vijë në Premier League në janar dhe të përfshihet në top-formacionin e sezonit, duhet të ketë bërë gjëra vërtet të veçanta. Kjo është pikërisht ajo që ka bërë Fernandes, me portugezin mbresëlënës, i cili pothuajse i vetëm e ktheu sezonin e “Djajve të Kuq” dhe i renditi në vendin e katërt. Në vetëm 14 ndeshje, ai ka regjistruar 8 gola dhe 7 asiste me skuadrën e Ole Gunnar Solskjaer, të pamposhtur në kampionat që nga ardhja e tij. Meritë kryesore e portugezit sigurimi i një vendi në Champions për sezonin e ardhshëm.

Sulmues
Mohamed Salah (Liverpool)
Megjithëse Salah mund të mos ketë arritur lartësitë rekord të sezonit të tij 2017-2018, ai vazhdon të jetë një nga sulmuesit kryesorë të Premier League. Egjiptiani shënoi 19 gola dhe dha 10 asiste në 34 ndeshjet e luajtura në kampionat për “Reds”. Ai ishte pjesë e rëndësishme e titullit të parë kampion të Liverpool në Premier League, pas 30 vitesh.

Sadio Mane (Liverpool)
Me siguri mund të konsiderohet top-lojtari i gjysmës së parë të sezonit. Megjithëse produkti i Mane ra pak në vitin 2020, ai ende bëri gjëra të jashtëzakonshme. Ish-lojtari i Southampton e përfundoi sezonin me 18 gola dhe 8 asiste në 35 ndeshje kampionat. Ai mposht ngushtë Raheem Sterling për një vend në këtë 11-she.

Jamie Vardy (Leicester City)
Golashënuesi më i mirë i Premier League. Pothuajse gjatë gjithë sezonit, Vardy ka shijuar një tjetër sezon yjor, që e pa atë të tejkalojë 100 gola në karrierë, në këtë kompeticion. Fushata e tij fituese e “Këpucës së Artë” u përmbyll me 23 gola dhe 5 asiste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *