Djokovic vazhdon me skandale tjera në konferencë: Do ta bëja përsëri, s’jam politikan, por më dhemb ajo çka po ndodhë në Kosovë

Tenisti serb, Novak Djokovic u kualifikua në raundin e dytë të Roland Garros duke mposhtur Aleksandar Kovaçeviqin në tre sete (6:2, 6:3, 7:6), por vëmendja u zhvendos tek mesazhi nacionalist që ai dha pas ndeshjes.

Ndonëse nuk mund të shihej në transmetim të drejtpërdrejtë, të gjithë të pranishmit mundën të shihnin se Novak Djokovic shkroi në kamerë pas ndeshkes: “Kosova është zemra e Serbisë, ndalo dhunën”, që natyrisht shkaktoi reagime të shumta.

Sigurisht, Djokovic u pyet në lidhje me këtë edhe nga gazetarët në konferencë, ku sërish dha koment skandaloz.

“Unë nuk jam politikan dhe nuk kam ndërmend të futem në debate politike. Si serb më dhemb shumë kjo që po ndodh në Kosovë, njerëzit tanë që janë dëbuar nga komunat. Më e pakta që mund të bëj është kjo, ndihem përgjegjës si personazh publik dhe si djal i një njeriu që ka lindur në Kosovë, ndjej nevojën për të treguar mbështetjen për të gjithë Serbinë. Është shumë e nevojshme të tregohet mbështetje. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, e di që ka pasur kundërshtime nga gazetarët ndërkombëtarë se a do të më dënojnë. Nuk kam asnjë rezervë, do ta bëja sërish. Unë jam kundër luftërave dhe çdo konflikti. Kosova është vatra jonë, kalaja jonë, aty është bërë beteja më e madhe, aty ndodhen manastiret më të rëndësishme”, tha Djokovic.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *