Djokovic shembull i përsosur i budallait, thotë tenisti australian

Tenisti australian, Nick Kyrgios, u ka ofruar lutje dhe njëkohësisht i ka kritikuar ashpër lojtarët e infektuar me koronavirus, përfshirë numrin një të botës Novak Djokovic, në turneun e organizuar në Ballkan pikërisht nga tenisti serb, Adria Tour.

Djokovic njoftoi të martën pasdite se ai dhe bashkëshortja e vet, Jelena, kanë dalë pozitivë në testin për Covid-19, raporton Gazeta Express.

Serbi është lojtari më i fundit, pas Grigor Dimitrov, Borna Coric dhe Viktor Troicki që del pozitiv në testin për koronavirus.

Të gjithë këta ishin pjesëmarrës në turneun e organizuar nga Djokovic në Beograd dhe Zadar.

Përqafimet, përshëndetjet dorë për dore dhe ahengjet e natës në turneun e organizuar pa asnjë protokoll për mbajtje të distancës dhe masave të tjera mbrojtëse, i lanë hije të zezë serbit.

Kyrgios, i cili edhe më parë e kritikoi Djokovicin për organizimin e Adria Tour, duke e quajtur vendim prej kokëtrashi, është lutur për lojtarë e infektuar gjatë tij.

Australiani e shpërndau një video ku shihet Djokovic, Dimitrov, Zverev dhe të tjerë duke vallëzuar shumë pranë njëri-tjetrit në një klub nate në Beograd.

Ai e quajti sjelljen e tyre shembull të përsosur të budallallëkut.

“Lutje për të gjithë lojtarët që janë infektuar me Covid-19. Mos më etiketoni mua për ndonjë gjë të papërgjegjshme që e kam bërë apo e cila është cilësuar si budallallëk – ky është budallallëku më i madh”, shkroi Kyrgios.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *