Hertha Berlin zyrtarisht në Bundesliga 2. Një ndër skuadrat më të vjetra të futbollit gjerman, mori vetëm një pikë nga “finalja” e mbijetesës përballë Bochumit (1-1).
Kryeqytetasit kaluan në avantazh pas një ore lojë me anë të Lucas Tousart, por u befasuan nga goli i Keven Schlotterbeck në minutën e katërt shtesë.
Hertha rikthehet pas dhjetë vitesh në Bundesliga 2. Një pikë siguroi edhe Schalke pas barazimit spektakolar 2-2 përballë Eintracht Frankfurt. “Blutë Mbretërorë” renditen të tretët nga fundi, duke qenë përkohësisht në zonën “play-out”. Pa fitues përfundoi edhe Werder Bremen-Koln (1-1).
Ndërkohë, Hoffenheimi mposhti 4-2 Union Berlin, fitore që solli mbijetesën matematikisht për skuadrën vendase.
Në orën 18:30 do të luhet Bayern Munchen-Leipzig (SuperSport 3), sfidë tepër e rëndësishme për garën për titullin kampion.
Bavarezët kryesojnë me një pikë më shumë se Borussia Dortmund, që të dielën do të përballet në transfertë ndaj Augsburgut.