Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, e ka marrë përgjegjësinë për humbjen në finale të Euro 2020 kundër Italisë në penallti, duke thënë se ishte vendimi i tij se kush të gjuante nga pika e bardhë.
Zëvendësuesit Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka i humbën penalltitë, duke bërë që Anglia të dështojë ta fitojë trofeun e parë të madh që prej vitit 1966.
Kjo ishte finalja e parë në një Kampionat Evropian për Anglinë, po ashtu.
Saka, 19 vjeç, u ngushëllua nga Southgate pasi e humbi penalltinë vendimtare që ia mundësoi Italisë ta festojë titullin e dytë evropian.
Duke folur pas ndeshjes, Southgate tha: “Sa i përket penalltive, vendosa unë. Përgjegjësia është e imja plotësisht”.
“Unë vendosa se kush do t’i gjuajë penalltitë bazuar në punën që e kemi bërë në stërvitje dhe askush nuk është i vetëm. Ne jemi thellësisht të zhgënjyer. Lojtarët kanë dhënë gjithçka që kanë mundur”, shtoi ai.