Sulmuesi i Fenerbahçes, Vedat Muriqi ka folur për gazetarët pas humbjes nga Trabzonspori mbrëmë.
Vedat Muriqi po vazhdon të thotë fjalën kryesore në skuadrën e Fenerbahces. Muriqi shënoi golin e vetëm në humbjen e Fenerbahces 2:1 në gjysmëfinale kundër Trabzonsporti në kuadër të Kupës së Turqisë. Pas ndeshjes, sulmuesi shqiptar nga Kosova u prononcua për mediet turke. “Rezultati 2:1 është më i mirë se 2:0. Ne e dinim se do të jetë ndeshje e vështirë, por ne shkuam për të marrë rezultat më pozitiv. Unë mendoj se ne do të jemi në finale me mbështetjen e madhe të tifozëve tanë në shtëpi”.
Më pas, Muriqi nuk ngurroi të flasë edhe për Ersun Yanal, trajnerin e Fenerbahçes, i cili ka ndarë rrugët tashmë me klubin e madh nga Stambolli. “Uroj që Yanal të ketë rrugën e hapur. Ai e meriton më të mirën. Unë i dëshiroj suksese. Nuk pajtohem me atë se ka rënë niveli i paraqitjeve të mia për shkak se unë kontribuoj për skuadrë. Ndihmoj mbrojtjen dhe sulmit. Nuk e lavdëroj veten, thjesht nuk kam shënuar shumë gola”.
Sulmuesi 25 vjeçar këtë sezon në 25 ndeshje ka shënuar 13 gola dhe pesë asistime.
Ish futbollisti i Lirisë së Prizrenit pritet që në fund të këtij sezoni, të largohet nga gjiganti turk pasi shumë klube evropiane janë të interesuara për shërbimet e tij.