“Dardanët” reagojnë pas pensionimit të Ujkanit

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani ka vendosur t’i japë fund karrierës në moshën 35-vjeçe.

Pas pensionimit të tij, kanë reaguar tifozët e Kosovës të njohur si “Dardanët”, duke e quajtur Ujkanin si lider në fushë, por edhe të afër me tifozët.

Ja reagimi i plotë i “Dardanëve”:

Kosova pati fatin të kishte një kapiten të madh si Samir Ujkani, i cili sot njoftoi pensionimin nga futbolli. Fjalët nuk mund ta përshkruajnë në masën e duhur kontributin heroik të dhënë nga Samiri, si në momentet të vështira në të cilat po kalonte futbolli ynë, po ashtu edhe në ato kur shkëlqimi niste të dilte në horizont.

Samiri ka qenë gjithmonë lider i skuadrës në fushën e blertë dhe në dhomat e zhveshjes. I hapur dhe i afërt ka qenë edhe me ne tifozët, Dardanët. Gjithmonë tregoi gatishmëri për të respektuar tifozët dhe cilindo që ia do të mirën kombëtares apo futbollit kosovar.

Ne ishim fatlumë që ishe pjesë e jona. Falënderimet dhe mirënjohja ndaj teje nuk do të jetë asnjëherë të mjaftueshme krahasuar me atë që na ke dhuruar në pothuajse një dekadë të tërë.

Faleminderit për emocionet dhe djersën e derdhur. Jeta të buzëqeshtë përherë, Samir!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *