Federata e Futbollit e Kosovës është duke u angazhuar për t’ia aranzhuar Kombëtares së Kosovës një ndeshje miqësore kundër përfaqësueses numër një në ranglistën botërore të FIFA-s, Belgjikës.
Një zyrtar i FFK-së, në kushte anonimiteti, i ka thënë KOHËS të enjten se janë duke parë mundësinë e arritjes së marrëveshjes që ndeshja miqësore në mes Kosovës dhe Belgjikës të zhvillohet në fillim të muajit qershor.
Datat e lira për përgatitje të përfaqësueseve pjesëmarrëse në “Euro 2020” dhe ndeshje miqësore janë nga 31 maji deri më 8 qershor, pak ditë para se të nisë Evropiani, që është dashur të mbahej verën e vitit të kaluar, por për shkak të pandemisë së koronavirusit është shtyrë për verën e këtij viti.
Përveç Belgjikës, në opsion janë edhe Përfaqësuesja e Turqisë dhe ajo e Armenisë.
Belgjika më 6 qershor luan miqësore kundër Kroacisë, ndërsa opsion mbetet të luajë me Kosovën pak ditë më herët. Ndërkohë, Turqia ende nuk e ka të aranzhuar asnjë ndeshje miqësore për muajin qershor, derisa Armenia luan më 1 qershor kundër Kroacisë.
“Krerët e Federatës po punojnë për aranzhimin e një miqësoreje gjatë kampit që planifikohet të mbahet në Austri. Jemi në diskutim për ta realizuar marrëveshjen për zhvillimin e ndeshjes miqësore kundër Belgjikës. Në opsion janë edhe Turqia e Armenia, por Belgjika është opsioni i parë. Do të ishte një rast i mirë për të luajtur kundër edhe një përfaqësueseje të madhe. Brenda pak ditësh do të dihet përfundimisht kundërshtari dhe ku do të luhet, në Austri apo Kosovë. Do ta shohim se si do të ecin bisedimet”, ka thënë zyrtari i FFK-së.
Nëse kjo miqësore do të realizohej, do të ishte mundësia që për Belgjikën të luante edhe lojtari i Real Sociedadit, kosovari Adnan Januzaj.
Januzaj ka qenë pjesë e Belgjikës në Botërorin e vitit 2014 dhe atë të vitit 2018.
Disa shtete veçse i kanë konfirmuar miqësoret për muajin qershor, kur edhe janë datat e lira për përgatitje të përfaqësueseve pjesëmarrëse në “Euro 2020” dhe për ndeshje miqësore.
Kosova dështoi të kualifikohet në Evropian, pasi u mposht në plejof për “Euro 2020” nga Maqedonia e Veriut. Për shtetin fqinj në Evropian do të paraqiten disa futbollistë shqiptarë, disa prej tyre të rëndësishëm për ekipin përfaqësues të Maqedonisë së Veriut.
Miqësore para ndeshjeve kualifikuese të Botërorit “Katari 2022”, Kosova do të luajë më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kundër Lituanisë.
Kosova në Prishtinë, më 28 mars, do ta luajë ndeshjen e parë të ciklit të dytë të saj kualifikues për Botëror, që mbahet vitin tjetër në Katar.
Përballë do ta ketë Suedinë, ndërsa më 31 mars në Sevilla do të përballet me gjiganten botërore, Spanjën.
Përveç Suedisë e Spanjës, “Dardanët” në Grupin B eliminator për botërorin e vitit të ardhshëm e kanë edhe Greqinë dhe Gjeorgjinë.