Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës “Dardanët” kanë vendosur të dhurojnë 30 bileta dhe shalla pa pagesë për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Kosovë për ndeshjen ndaj Burkina Fasos.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i tifogrupit, Lulzim Berisha nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Ju njoftoj që si kreu i tifogrupit Dardanët, kam vendosur që t’i ndaj 30 bileta dhe shalla falas për bashkështetasit tonë që i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, për ndeshjen ndaj Burkina Fasos”.
“Jemi të hapur për të gjitha komunitetet dhe besojmë thellësisht që vlerat që i përfaqëson shteti ynë, si dhe vetë përfaqësimi i futbollit tonë me anë të kombëtares – nuk kanë monopol monoetnik. Kosova i takon të gjithëve: çdo banori marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare”, shkruan Berisha në rrjetin social.
Kombëtarja e Kosovës do të ballafaqohet me 24 mars me Burkina Fason në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të një ndeshje miqësoreje.
Pesë ditë më vonë, të përzgjedhurit e trajnerit, Alain Giresses do marrin rrugën për në Zvicër atje ku përballen në një tjetër takim kontrollues me kombëtaren “helvetike”, pjesë e së cilës janë edhe disa lojtarë nga Kosova, siç janë, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri.