Dardan Berisha ka mohuar raportimet se ai do të transferohet te KB Golden Eagle Ylli, shkruan Zeri.info.
Kohëve të fundit është raportuar se ylli kosovar i basketbollit nga sezoni i ardhshëm do jetë pjesë e suharekasve.
Por, deri më tani nuk ka asgjë të vërtetë. Dardan Berisha në emisionin “Asist” ka thënë se nuk ka pasuar asnjë thirrje nga zyrtarët e klubit të Yllit.
“Deri tash askush nuk më ka thirrë prej zyrtarëve të Yllit. Zyrtarisht nuk ka asgjë” – ishte përgjigja e kapitenit pejan lidhur me këto spekulime.
Tutje, 32-vjeçari tha se dëshira e tij është për të qëndruar te KB Peja.
“Po pres që me Pejën t’i definojmë senet. Varet prej klubit të Pejë se a dojnë me e bë një ekip të fortë, e që po shpresoj që po. Edhe Peja edhe tifozët e meritojnë një ekip të fortë. Atëherë unë kisha pas qef aty me qëndru” – ka deklaruar Berisha.
Vlen të theksohet se Dardan Berisha është një nga basketbollistët më të suksesshëm në Kosovë. Ai gjithashtu vlerësohet edhe si një nga më të mirët në historinë e basketbollit kosovar.