Kombëtarja e Kosovës do të luajë sontë në udhëtim te Suedia, me ndeshjen që luhet në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026.
Ndeshja do të nis nga ora 20:45 dhe luhet në stadiumin “Nya Ullevi”.
Gjyqtar i kësaj ndeshje do të jetë holandezi, Danny Makkelie, një nga gjyqtarët më të mirë në futbollin evropian dhe jo vetëm.
Kjo do të jetë hera e katërt që ky gjyqtar do të ndajë drejtësinë në një ndeshje të Kosovës, pasi më herët e kishte drejtuar ndeshjen në tri raste.
Hera e parë erdhi në vitin 2019, me Makkelien që e drejtoi sfidën e Kosovës ndaj Republikës Çeke në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshje që “Dardanët” e fitonin 2-1.
Ndeshja e dytë erdhi në vitin 2020, kur Kosova luante në gjysmëfinalen e play-offit të Ligës së Kombeve për inkuadrim në EURO 2020 ndaj Maqedonisë së Veriut. Kosova mposhtej 2-1.
Ndeshja e tretë që Makkelie e drejtoi ku ishte edhe Kosova, është ajo ndaj Rumanisë në vitin 2023, ndeshje që i përkiste kualifikimeve për EURO 2024.
Ndeshja luhej në “Fadil Vokrri” dhe mbyllej pa gola.
Kështu, Danny Makkelie i ka drejtuar tri ndeshje të Kosovës deri më tani, ku “Dardanët” kanë arritur një fitore, një barazim dhe kanë pësuar një disfatë.