Armend Dallku ka thënë se është shkarkuar nga posti i trajnerit të Prishtinës, pasi nuk kishte qenë i gatshëm të garantonte titullin e kampionit.
Ndonëse nga klubi ishte thënë se është shkëputur kontrata me marrëveshje të dyanshme, Dallku, ka treguar se ende nuk është zgjidhur çështja e kontratës dhe se atij i ishte kumtuar se nuk do të vazhdohet bashkëpunimi pasi nuk garantoi titullin.
“Normalisht, duke e pasur parasysh se bëmë punë shumë të suksesshme dhe mundimshme, ku si rezultat e fituam edhe Kupën e Kosovës, arritëm të jemi pjesë e garave evropiane, normalisht nuk ishte e pritshme. Por na është thënë kushtimisht mua dhe ndihmësit tim, pasi që nuk e garantoni titullin do të shkëputen kontratat”.
“Siç e dini me ardhjen e aksionarit kryesor Rrahman Haradini, ai i ka caktuar dy persona në organizim të klubit, Bajram Sherifin e Fisnik Kërçelin. Ata kanë ardhur në Istog dhe pas një bisede të shkurtër më kanë komunikuar se pasi nuk e garanton titullin duhet të ndajmë rrugët”.
“Unë e kam pranuar me sportivitet. Kam thënë se ky ekip e ka të vështirë të dalë kampion, kam kërkuar një qendërmbrojtës e një sulmues, për të luftuar për titull. Në asnjë mënyrë nuk e kam garantuar titullin, pasi asnjë trajner nuk e ka të sigurt titullin”.
Nëse gara është tamam garë, atëherë nuk mendoj se e garanton dikush titullin. Unë kam thënë se është e vështirë me këtë grup, pavarësisht se grupi ka qenë i mirë. Por me largimin e 10 futbollistëve e ardhjen e 11 tjerëve është e vështirë. Kam qenë shumë realist”.
“Unë kam kontratë deri në fund të vitit, shpresoj që javën e ardhshme ta zgjidhim punën e kontratës. Normal se mund të thuhet shkarkim, nëse të thotë se nuk po e garanton titullin duhet me u largu, normalisht me dëshirë nuk jam larguar. Nuk ka qenë koha e duhur të largohem pas gjithë punës, por sipas dy personave në fjalë nuk e kam garantuar titullin”, ka deklaruar Dallku në Sportin Total në KTV.