Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka sugjeruar se Dukagjini po gjen motivim ekstra për të luajtur kundër Prishtinës në krahasim me kundërshtarët e tjerë, duke thënë edhe se e kishte ditur qysh para ndeshjes se ata do të vinin të motivuar në “Fadil Vokrri”.
Prishtina mori fitore me rezultat 4:1 në Fadil Vokrri kundër Dukagjinit, duke e vazhduar kështu rekordin e përsosur të fitoreve që nga rinisja e sezonit 2019/20. Me këtë fitore, bardhekaltrit ngrihen sërish në pozitën e dytë, me dy pikë më pak se liderja Drita, transmeton GE.
Dukagjini, përkundër që mban pozitën e fundit në tabelë dhe i ka humbur tri ndeshjet e fundit në ligë rezultoi një kundërshtar më i fuqishëm për Prishtinën sesa që ishte vlerësuar gjatë pjesës së parë, duke arritur t’i rezistojë presionit të kryeqytetasve më mirë sesa kundërshtarët e fundit.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat 1:1, mirëpo Prishtina arriti t’i shënojë tri gola për ta regjistruar një fitore të thellë – që sipas Dallkut kishte mundur të jetë rezultat edhe më i thellë nëse Prishtina do t’i kishte shfrytëzuar rastet që i kishte.
“Po, mund të themi që më e vështirë [sesa që e kemi pritur]. Por, nëse do t’i kishim realizuar rastet që i patëm qysh në fillim nuk do të vinin në këtë situatë më të vështirë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, duhet t’i përgëzojmë djemtë për reagimin që e patën sepse e pësuam një gol naiv, ishte gol i evitueshëm”, tha Dallku pas ndeshjes për Supersport.
“Por, në futboll ndodhin këto gjëra. Në pjesën e dytë, djemtë u futën me vetëbesim të madh që kanë për ta kthyer ndeshjen dhe si rezultat i shënuam edhe tri gola. I përgërzoj djemtë për këtë fitore me karakter”.
“Shpresoj që kundërshtari të luajë njësoj si po luan kundër Prishtinës sepse e kemi ditur qysh para ndeshjes se do të vijnë të motivuar. Por, ne e kemi cekur gjithmonë, që për neve s’ka rëndësi a është Dukagjini apo dikush tjetër, ne e luajmë lojën tonë”.
Gjatë kësaj ndeshjeje, Prishtina e pësoi një goditje pasi iu lëndua mbrojtësi Diar Miftaraj. Dallku e shprehi rëndësinë që Miftaraj e ka për skuadrën e tij, përderisa tha se futbollisti do t’i bëjë së shpejti testet mjekësore për ta mësuar gjendjen e tij.
“Normalisht që çdo humbje e lojtarëve është problematike. Miftaraj është një lojtar pothuajse standard i ekipit, por do ta shohim shkallën e lëndimit. Ai e kishte një kontakt me kundërshtarin me këpucë, por të shohim në ditët në vazhdim. Shpresojmë të mos jetë lëndim i rëndë dhe të na kthehet sa më shpejt”.