Dalin analizat e tre të dyshuarve për koronavirus

Sot në Klinikën Infektive të QKUK-së janë trajtuar tre persona si të dyshuar për koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se pas testeve të kryera në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare, të tre rastet kanë dalur negative dhe Kosova vazhdon të jetë e pa prekur nga koronavirusi.

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

Nga data 08.02 deri me 06.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 56 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme me 06 mars 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tri raste të dyshimta në COVID-19.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostra për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2.

Me datë 06.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar tre pacientë në virusin SARS CoV-2 dhe kanë rezultuar negative, domethënë pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS CoV-2.

Nga data 01.02.2020 deri me 06.03.2020 në Aaeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 2.831 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdare 1.198, Vërmicë 825, Jarinje 187, Dheu i Bardhë 49, Hani i Elezit 56, Kullë 21, Qafë Morinë 13 dhe Bërnjak 7 udhëtarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *