Crvena Zvezda i kërkon falje publike Ibrahimovicit

Klubi i Crvena Zvezdës i ka kërkuar falje Zlatan Ibrahimovicit, pas fyerjeve që ai mori mbrëmë nga tifozët.

Zvezda dhe Milani zhvilluan mbrëmë ndeshjen e parë në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Evropës.

Kjo ndeshje u mbyll pa fitues dhe me rezultatin 2-2. Por, pas ndeshje vëmendje për të keq morën tifozët nikoqirë.

Tifozët e klubit serb fyen në baza etnike sulmuesin e ‘Rossonerëve’, Zlatan Ibrahimovicin, i cili ka prejardhje boshnjake.

Gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe zyrtarisht klubi i Crvena Zvezdës. Përmes një komunikate për shtyp, klubi i ka kërkuar falje lojtarit dhe ka dënuar fyerjet e bëra nga tifozët.

“Crvena Zvezda dënon në mënyrën më të fortë thirrjet fyese ndaj Zlatan Ibrahimovicit. Si kompani kemi bërë gjithçka për të siguruar që organizimi i takimit të ishte në nivelin e dy ekipeve dhe ne nuk do të lejojmë një person primitiv, i vetëm, të njollosë mikpritjen tradicionale të vendit dhe popullit tonë. Klubi i kërkon falje në mënyrën më të sinqertë Zlatan Ibrahimovicit për episodin e pakëndshëm” – thuhet në komunikatën e klubit nga Beogradi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *