Italia është pushtuar nga makthi “Coronavirus”. Numri në rritje i personave të infektuar e ka rritur alarmin në mesin e popullatës jashtë çdo proporcioni, duke kushtëzuar gjithashtu zhvillimin e rregullt të kampionatit të Serie A.
Katër ndeshje të “stacionit” të radhës janë shtyrë për këtë shkak. Fjalët e kryeministrit Conte nuk janë qetësuese edhe për sa i përket raundit tjetër, edhe nëse, në orët e fundit, një zgjidhje duket se ka zënë vend, që do të shmangte një shtyrje të mëtejshme të tërë javës së ardhshme.
Brenda raundit në fjalë përfshihet edhe supersfida mes Juventusit dhe Interit, e planifikuar të luhet në Torino.
Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, qeveria dhe Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora, janë duke punuar për një dekret, i cili duhet të bëhet zyrtar sot.
Ai parashikon mundësinë që për një javë të vazhdojnë ngjarjet sportive, por vetëm me dyer të mbyllura në rajonet e prekura nga urgjenca e “Coronavirus”-it.
Kjo nënkupton që në këto rajone të prekura, ndeshjet e javës së 26-të të Serie A të luhen pas dyerve të mbyllura të stadiumeve (pa tifozë).
Është e rëndësishme të kuptohet nëse ky dekret do të zgjasë për gjashtë apo shtatë ditë.
Në rastin e fundit, Juventus-Inter do të luhej në stadiumin “Allianz” pa tifozë, në një atmosferë aspak të përshtatshme për sharmin e një ndeshjeje historike, si ajo midis bardhezinjve dhe zikaltërve.
Prandaj, hipoteza e shtyrjes së ndeshjeve po bie poshtë, me Serie A që shkon drejt dyerve të mbyllura.
Kjo masë mund të prekë edhe ndeshjen e “Europa League” ndërmjet Interit dhe Ludogorets, e planifikuar për të enjten në mbrëmje, në “San Siro”.
UEFA kishte filluar të studionte hipotezën e fushës neutrale, por në fund të fundit ky version duhet të shmanget.