Trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte ka lënë të kuptohet se do të largohet nga “Spurs” në një intervistë pas humbjes nga Burnley.
“Gjelat” pësuan humbje të hidhur në udhëtim te Burnley 1:0.
Në fundjavë, të besuarit e Contes mundën 2:3 Manchester Cityn në një ndeshje ku shkëlqeu Kane.
Megjithatë, ajo fitore ishte e rastit, ngase Tottenham u mposht nga Burnley, skuadër e cila po lufton për mbetje në elitë.
Conte tha për Sky Sports: “Në pesë ndeshjet e fundit, ne humbëm katër ndeshje dhe kjo do të thotë se do të ketë një vlerësim për klubin, për mua, sepse për mua është shumë zhgënjyese”.
“Sigurisht që situata është kjo. Më vjen shumë keq për fansat sepse nuk mendoj se ata e meritojnë këtë”.
“Por kur humb katër nga pesë ndeshjet e fundit do të thotë që duhet të bësh një vlerësim. Klubi duhet të bëjë një vlerësim, gjithashtu të flasë së bashku dhe të kuptojë se cila është zgjidhja më e mirë”.