Ansu Fati është një nga talentet më të mëdhenj të futbollit dhe e ardhmja e Barcelonës. Spanjolli me origjinë nga Guinea-Bissau festoi 18-vjetorin e lindjes dy javë më parë, teksa drejtuesit e klubit katalanas po i përgatisin si dhuratë një rinovim të çmendur.
Kontrata e sulmuesit përfundon në verën e vitit 2022, ndërsa Barcelona është gati ta zgjasë bashkëpunimin me lojtarin edhe për dy vite të tjera. Interesante është rroga e re që do të përfitojë lojtari: plot 10 milionë euro në sezon.
Mediat iberike raportojnë se bisedimet janë në rrugën e duhur dhe akordi final është shumë afër. Nuk është parë kurrë më parë që një lojtar kaq i ri në moshë të përfitojë një rrogë të tillë. Leo Messi fitonte vetëm 1.2 milion euro në sezon në moshën 18-vjeçare, ndërsa CR7 2.1 milion euro.
I vetmi që i afrohet disi është Donnarumma i Milanit me 6 milion euro në sezon. Klubi katalanas beson shumë tek Ansu Fati (5 gola këtë sezon me La Liga dhe Champions League) dhe është gati ta “blindojë” atë, sigurisht duke i ofruar një rrogë të parefuzueshme.