Chelsea triumfon me lehtësi ndaj Rennes dhe ruan pozitën e parë në grup

Chelsea ka fituar me rezultat të thellë 3-0 në shtëpi ndaj Rennes në kuadër të ndeshjes së tretë të Grupit E në Ligën e Kampionëve.

Ekipi i Frank Lampard ka vazhduar serinë pozitive duke marrë edhe fitoren e dytë radhazi në grup, pas barazimit në ndeshjen e parë ndaj Sevillas.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Bluve, të cilët përveç rasteve të shumta, shënuan edhe dy gola.

Ishte sulmuesi gjerman, Timo Werner, i cili shënoi dy herë nga pika e bardhë, ku goli i epërsisë 1-0 erdhi në minutën e 10-të, ndërsa ai i 2-0 në minutën e 41-të.

Vlen të theksohet se dy penalltinë u shkaktuan nga mbrojtësi Dalbert Henrique, i cili në të dy rastet u ndëshkua me të verdhë, respektivisht të kuq pas ndëshkimit të dytë me të verdhë, duke lënë ekipin e tij me dhjetë lojtarë.

Në pjesën e dytë, Chelsea përsëri ishte më i mirë duke kontrolluar lojën, krijuar raste, shënuar gol, ndërsa Lampard u përkujdes t’u jap hapësira edhe disa lojtarëve që kanë pasur më pak minuta.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 50-të dhe ishte Tammy Abraham, i cili shënoi për 3-0 dhe ky doli të jetë rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Pas kësaj fitore, Chelsea ruan pozitën e parë me shtatë pikë, po aq sa ka edhe Sevilla e dytë, ndërsa Rennes renditet në vendin e katërt me një pikë.

Në ndeshjen e radhës të grupeve Chelsea do të luajë përsëri me Rennes, por kësaj radhe në Francë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *