Chelsea përmbys rezultatin e Dortmundit dhe vazhdon në çerekfinale

Chelsea është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pas fitores prej 2-0 ndaj Borussia Dortmundit në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales së garës elitare për klube. BVB kishte fituar me rezultat minimal prej 1-0 në Signal Iduna Park, mirëpo Blutë përmbysën gjithçka në Londër (2-0), ashtu që vazhduan tutje me rezultat të përgjithshëm prej 2-1. Joao Felix e Kai Havertz patën mundësitë e tyre në minutat e para, derisa Marco Reus rrezikoi nga gjuajtja e lirë në anën tjetër. Havertz vazhdoi të ishte i rrezikshëm duke e goditur shtyllën, ndërsa një gol iu anulua për pozitë jashtë loje.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 43-të. Raheem Sterling pranoi një top në zonë dhe nuk arriti të godasë në tentativën e parë, por e rimori topin, krijoi hapësirë dhe u tregua i saktë. Në fraksionin e dytë, u akordua penallti në favor të vendasve. Kai Havertz e mori përgjegjësinë dhe dështoi në tentativën e parë. Mirëpo, gjyqtari kërkoi që të riekzekutohej njëmbëdhjetëmetërshi dhe kësaj radhe gjermani ishte i saktë (53’).

Me gjithë rastet dhe përpjekjet e mysafirëve, deri në fund nuk u shënuan gola të tjerë. Në këtë mënyrë, Chelsea u bë skuadra çerekfinaliste, derisa Borussia Dortmundi u eliminua nga Liga e Kampionëve në fazën e të tetës së finales.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *