Chelsea fiton Conference League për sezonin 2024-2025. “Blutë e Londrës” fituan 4-1 ndaj Betis në finalen e luajtur në në “Tarczynski Arena” në Wrocław në Poloni. Finalja u zhbllokua shumë shpejt dhe ishin pikërisht andaluzianët ata që kanë kaluar të parët në avantazh që në minutën e 9-të.
Pas një kundërsulmi të shpejtë, Betis gjen golin me Ezzalzouli, i cili shënoi me një goditje të bukur brenda zonës pas super asistit të Isco-s. Tani pritet kundërpërgjigja e “Bluve të Londrës”. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 për spanjollët.
Ndryshe nga pjesa e parë e cila u dominua nga Betis, pjesa e dytë foli e gjitha për Chelsea-n, ku erdhi edhe përmbysja e madhe. Barazimi i londinezëve ka rdhur në minutën e 65-të, ku pas një aksioni të bukur dhe kombinimit perfekt, mes krosimit të Cole Palmer dhe goditjes me kokë të Enzo Fernandez, “Blutë” barazuan shifrat.
Në minutën e 70-të, sërish Cole Palmer protagonist, pasi kalon kundërshtarin, asiston bukur Brenda zonës për Nicolas Jackson, i cili dërgon topin me kokë në rrjetë dhe kalon “Blutë” në avantazh. Goli që do të vuloste fitoren e “Bluve” do të vinte në minutën e 83-të me Jadon Sancho, ku anglezi shënoi me një goditje plot me klas brenda zonës. Në minutat shtesë do të kishte kohë edhe për golin e katërt, të realizuar nga Moises Caicedo, me një goditje të fuqishme në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas asisit të Fernandez. Rezultati përfundimtar 4-1 për Chelsea-n.
Dëshpërim i madh tek Isco, Antony & Co, që kanë bërë një sezon fantastik, por nuk arritën ta konkretizonin dot me trofe. Në anën tjetër, festa është e gjithë për londinezët që i gëzohen trofeut të vetëm për këtë sezon.