Challandes: Kundër Spanjës Kosova e bëri ndeshjen më të mirë që prej së unë jam trajneri i saj

Bernard Challandes ka këmbëngulur ndeshja më e mirë e Kosovës nën drejtimin e tij deri tani ka qenë disfata kundër Spanjës në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës muajin e kaluar në Prishtinë.

Kosova u mund 2:0 nga Spanja në Prishtinë, por u largua nga Stadiumi Fadil Vokrri me duar në kokë për mundësitë e shumta që i shpërdoroi.

Verdhekaltrit kanë mundur t’i shënonin lehtësisht të paktën dy gola, duke i parë mundësitë e qartë që i kishin Vedat Muriqi dhe Milot Rashica në veçanti, kur u gjendën përballë portierit Unai Simon më shumë se në një rast.

Challandes, i cili e mori drejtimin e Kosovës në mars të vitit 2018, tha: “Ndeshja me Spanjën ishte më e mira që prej se unë jam këtu. Mund të mos pajtoheni por ishte ndeshja më e mirë e jona sepse kemi luajtur kundër njërit prej ekipeve më të mira në botë.”

70-vjeçari e ka drejtuar Kosovën në 24 ndeshje, prej të cilave i ka fituar 8, i ka humbur 9 dhe ka barazuar në 7 të tjera.

“Teknikisht ishte shumë e mirë dhe kemi luajtur me pasion dhe zemër. Kemi pasur më shumë raste shënimi se sa Spanja. Cili ekip ka pasur më shumë raste se Spanja në 10 ndeshjet e fundit, asnjë ekip. I kam parë ndeshjet. Ne kemi pasur më shumë raste shënimi dhe jemi mbrojtur me 11 lojtarë dhe u zhgënjeva për lojtarët. Ne kemi bërë punë të mirë me Spanjën dhe duhet ta vazhdojmë këtë”, shtoi ai.

Dardanët do të mblidhen sot për t’i nisur përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës gjatë këtij muaji, kundër Suedisë në udhëtim më 9 tetor dhe kundër Gjeorgjisë në Prishtinë më 12 tetor.

Kosova është e pashpresë dhe pa ndonjë gjasë për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë në historinë e vet, pasi i ka vetëm katër pikë në vendin e tretë në Grupin B, nëntë më pak se liderja Spanja dhe pesë më pak se vendi i dytë, Suedia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *