Një gjë është e sigurt, emri i Xherdan Shaqirit është vendosur në analet e historisë së Liverpoolit. Shaqiri fitoi Ligën e Kampionëve dhe titullin e Premier Ligës, titull që klubi legjendar nuk e kishte fituar për 30 vite rresht, po ashtu do të mbahet mend gjatë për dy golat e tij kundër Manchester United në “Anfield Road”, gola të cilat ndikuan në shkarkimin e Jose Mourinho.
Kontributi i Shaqirit në fitimin e titullit ishte i vogël, për shkak të lëndimeve të shumta në muskujt e tij gjigant, por edhe për shkak të konkurrencës së fortë që është krijuar në skuadrën e Liverpoolit.
Shaqiri përkundër minutazhës së vogël sezonin e kaluar, duket se edhe këtë sezon do të jetë pjesë e skuadrës angleze. Në fazën përgatitore të kampionit anglez që e zhvilloi në Alpet e Austrisë, ai pësoi një lëndim në muskujt e tij, i cili ia pa mundësoi paraqitjen e tij në dy ndeshjet e para të Premier Ligës.
Ylli shqiptar ditë më parë është rikuperuar nga lëndimi por është anashkaluar nga trajneri gjerman, Jurgen Klopp, për sfidën me Chelsea. Klopp nuk e ftoi fare për derbin të cilin “Të Kuqtë” e fituan me rezultat 0:2 të dielën (dje) pasdite.
Megjithatë, Shaqiri duket se do ta ketë vështirë të gjejë minuta në skuadrën e parë me transferimin e portugezit Diogo Jota nga Wolverhampton dhe japonezit Minamino, i cili erdhi në janarin e kaluar në “Anfield Road”.
Duke shtuar edhe formën e Sadio Mane dhe Mo Salah, zgjidhja më e mirë për të do të ishte huazimi ose largimi nga Liverpool.
Pushimi luksoz me femra në jaht
Ylli shqiptar dhe i Kombëtares së Zvicrës, Shaqiri, pak ditë para se të fillonte faza përgatitore e Liverpoolit, ai u fotografua në bregdetin spanjoll të njohur Ibiza në një jaht me disa femra.
Fotografitë e Shaqirit të publikuara nga tabloidet angleze bënë bujë në ishullin britanik, duke u komentuar në rrjete sociale në mënyra të ndryshme.
Ndoshta, Shaqa ka pasur nevojë për të pushuar, por gjithsesi në këtë mënyrë duke ditur situatën e tij në Liverpool.
Më e arsyeshme do të ishte të përgatitej dhe të ishte i gatshëm për urdhrat e trajnerit gjerman për sezonin e ri. Gjithsesi, potenciali i Shaqirit nuk mungon, këtë e dinë edhe tifozët “The Kop”, të cilën kanë simpati të madhe për të voglin nga Zhegra e Gjilanit.
Marrëdhëniet me Jurgen Klopp
Në mediet angleze gjithmonë është raportuar se Jurgen Klopp ka humbur durimin me 28 vjeçarin, për shkak të lëndimeve të shumta dhe për këtë arsye ai edhe nuk e sheh më në projektin e tij.
Klopp gjatë sezonin të kaluar i kishte kërkuar falje Shaqirit për minutat e paktë, duke u arsyetuar se mos përfshirja e tij është për shkak të lëndimeve të shumta. “7 muaj pa minuta, me të vërtetë? Më vjen shumë keq, por po të shënonte si Divock Origi dy gola, në vend të një golit, atëherë do të ishte e njëjtë situatë edhe për Origin. Shaqiri e kupton situatën, nuk mund të bësh 20 ndërrime kur skuadra fiton po thuajse çdo javë”, kishte deklaruar gjermani në muajin dhjetor.
Shaqiri për herë të fundit titullar për Liverpoolin ishte në janar të vitit 2020 në fitoren kundër Evertonit me rezultat 5:2.
Ish anëtari i Bayern Munich për Liverpool është paraqitur në 31 ndeshje, duke shënuar gjashtë gola.
Në Liverpool, Shaqiri ishte transferuar nga Stoke City në verën e vitit 2018 për shumën e 13 milionë eurove.
Gjatë këtij afati kalimtar, ai është lidhur me klube si Newcastle United por që kanë mbetur vetëm spekulime të medieve angleze.
Kontrata me kampionin anglez i përfundon në vitin 2023.