Ibrahimoviç nuk mund të ndryshojë kurrë! Pavarësisht moshës së këtij sulmuesi dhe ku shumëkush e ka quajtur “të përfunduar” për karrierën e tij si futbollist, fakti është se me të Milani në fushë është tjetërsuar.
Por në të njëjtën kohë edhe polemikat nuk mund të mungojnë. Sulmuesi suedez është zëvendësuar për të disatën herë radhazi nga Pioli edhe në takimin ndaj Bolonjës. Gjithmonë duke u nevrikosur me trajnerin e kuqezinjëve, por këtë herë mund të thuhet se ishte e tepruar.
Në minutën e 61 kur shifrat ishin 4-1, Ibrahimoviç do të largohej për t’i lënë vendin Leaos. Një punë fantastike kishte bërë suedezi deri në atë moment, por ende pa shënuar vetë. Kjo ka sjellë edhe shpërthimin ndaj Piolit, duke pasur një diskutim në nerva e sipër teksa duhej të ulej në stol.
Gazetari i “DAZN” ka zbuluar se fjalët e Ibrahimoviç në atë moment ishin një urdhër për Piolin se nuk duhej ta kishte larguar kurrsesi nga fusha e blertë pasi ishte duke luajtur mirë, por duhej të kishte hequr një nga shokët e tjerë të skuadrës. Kjo ka prishur disi humorin e skuadrës teksa as shokët e ekipit që gjendeshin në pankinë nuk e kanë përshëndetur për t’i dhënë dorën si zakonisht.