Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Hajrulla Çeku në konferencën e sotme për media foli për çështjen e rifillimit të punimeve për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, si dhe për licencimin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Punimet për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë ishin parashikuar të fillojnë me përfundimin e pandemisë Covid-19, por që nuk kanë filluar për shkak të problemit të shpronësimit të pronave.
Ministri Çeku zbuloi se çështja e projektit të rinovimit të stadiumit “Adem Jashari” është në fazën e fundit të rregullimit të çështjes së shpronësimit, dhe u shpreh i bindur se kjo çështje do të përmbyllet së shpejti.
“Projekti i stadiumit, rinovimi i stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë është në fazën e fundit të rregullimit të çështjes së shpronësimit, dhe këtu jemi duke punuar bashkë me ministrin Aliu për ta përmbyllë një çështje problematike që do të duhej të ishte përmbyllur para se të fillonte ky projekt, për fat të keq ka nis projekti pa u qartësuar çështja e pronave, por besoj që shumë shpejt do të përfundoj kjo çështje e shpronësimit dhe punimet do të rifillojnë sepse operatori tashmë është në kontratë të lidhur me ministrinë dhe është në pritje të zgjidhjes së çështjes së shpronësimit… Unë jam i bindur që shumë shpejt do ta përmbyllim këtë çështje të shpronësimit dhe kjo i bie autorizim për operatorin me të cilin jemi në komunikim të përhershëm për të vazhduar punimet e renovimit në stadiumin ‘Adem Jashari’”, tha Çeku.
Ndërkaq, ndër temat më të përfolura së fundmi ka qenë edhe licencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për të cilin ministri Çeku tregoi se kjo gjë nuk e rrezikon Kosovën të përjashtohet nga UEFA dhe FIFA.
Po ashtu, Çeku tregoi se FFK-së i duhet ende punë për tu licencuar, ku duhet ta përmbushë kriterin e licencimit të klubeve, gjë për të cilin Çeku e ftoi FFK-në dhe klubet që ta përshpejtojë procesin e dorëzimit të aplikacioneve.
“Nuk ka kurrfarë rreziku të përjashtimit të Federatës së Futbollit nga dy asociacionet ndërkombëtare… Ne jemi në komunikim edhe me UEFA-n dhe FIFA-n. Kemi kërkuar disa sqarime nga këto dy asociacione sa i përket statutit të ri të federatës së futbollit dhe disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me kriteret ndërkombëtare për licencim, dhe besoj që në momentin që do t’i marrim këto përgjigje nga FIFA dhe UEFA ne do të kemi një qartësi pak ma të madhe në raport me licencimin e Federatës së Futbollit. Ndërsa sa i përket një kriteri shumë të rëndësishëm të licencimit të klubeve, këtu Federata e Futbollit ka ende punë dhe ne e ftojmë edhe një herë federatën që ta përshpejtojë bashkë me klubet dorëzimin e aplikacioneve të klubeve, sepse licencimi nuk e përfshin vetëm federatën si strukturë administrative dhe menaxhuese por edhe të gjitha klubet që bëjnë pjesë në garat zyrtare të një federate”, tha Çeku.
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ende nuk është licencuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).