Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin këmbëngul se ideja për Super Ligën Evropiane ka vdekur pavarësisht vendimit të dhjetorit të kaluar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë që UEFA dhe FIFA thyen rregullat e konkurrencës së BE-së duke u përpjekur të bllokojnë nisma të reja.
Gjykimi i befasishëm i dha teorikisht një jetë të re projektit dhe u pa si një goditje ndaj autoritetit të UEFA-s dhe FIFA-s dhe mënyrës se si ata e drejtojnë futbollin.
“Vendimi është më i mirë për UEFA-n sesa për palën tjetër”, tha Ceferin për gazetën “The Guardian”.
“Gjithçka që A22 (kompania e krijuar për të mbajtur gjallë konceptin e Superligës) po bën është të xhirohet, të filmojë veten, të përpiqet të japë intervista. Ndërkohë ne po qeverisim futbollin. Ne po ndërtojmë fusha, përballemi me shumë probleme, kështu që lobimi është ndoshta puna e tyre kryesore, por nuk është e jona.”, ka shtuar ai.
Më tutje, i pari i UEFA-së është shprehur i bindur se një projekt i tillë nuk do të ndodh kurëë. “Ky është një jo-projekt, një gjë që nuk do të ndodhë kurrë, sepse askush nuk e dëshiron. Asnjë gjykatë, asnjë polici dhe asnjë ushtri nuk mund t’i detyrojë njerëzit të pranojnë diçka që është një marrëzi. Nëse ata kanë burime të mjaftueshme për të udhëtuar dhe për të bërë këtë shfaqje është mirë. Nuk më intereson dhe komuniteti i futbollit nuk i intereson”.