Shkruan: Fekmi Kongjeli, menaxher i licencuar i FIFA-s
Të gjitha të arriturat e FFK-së në krye me Agim Ademin jam munduar t’i përfshijë në shkrimin tim të mëparshëm të datës 07.03.2022 dhe atë me fakte dhe argumente, e të cilave duhet të ju gëzohemi të gjithë.
Meqenëse tani janë të shpallura zgjedhjet për kryetar të FFK-së, ka tendenca për manipulim të opinionit dhe procesit zgjedhor nga individë të caktuar për interesa të ngushta e personale, pa asnjë koncept por me gjuhë vulgare dhe ofendim të të gjithë atyre që nuk mendojnë si ata.
Refreni i njëjtë; paraja (aty ku edhe po synojnë), prokuroria e gjykata, për të futur huti në opinion pa asnjë argument. Mohimi i çdo të arriture duke përdorur shantazhe, provokime, inskenime e viktimizime. Në ndihmë atyre ju dalin edhe disa media të cilat nuk e kam idenë për çfarë interesash veprojnë!!! E bashkë në valle edhe disa klube me vite të ledhatuara, e që besa edhe të akuzuara për marifetlleqe nga klubet tjera dhe opinioni, pa fije turpi përmendin pazarin e votës së tyre.
Atyre ju pengon VAR-i dhe mohojnë çdo sukses për të cilin deri dje kanë shprehur konsideratë e vlerësim! Çudi se jo mahi! Dhe bashkë me disa që kanë krijuar karrierë në FFK, e që e demantojnë vetën e tyre sa herë që flasin, e ku interpretimet e ligjeve i bënin krejt ndryshe nga ajo që i bëjnë sot. E cilës t’i besojmë ne! Interpretimit të dikurshëm, apo këtij tani që e bëjnë thjesht për interesa personale?!
Dhe pasë shumë sharjeve e etiketimeve publike për njëri – tjetrin befas janë bërë bashkë dhe ‘miq të mirë‘, për pazare të ndyta, pa kursyer të gjallë e të vdekur! Dhe yrysh te karrigia e të parit të futbollit të Kosovës, pa asnjë kriter moral e njerëzor. Të gjitha këto veprime të përbashkta e që kanë për qëllim rrënimin, ishte dashur të jenë temë për hetuesinë dhe prokurorin!
Dhe kur kësaj t’i shtohet që disa nga këta publikisht luajn rolin e „zëdhënsit“ të këtyre dyjave dhe të gjykatave, kjo nuk do koment dhe vërtetë është trishtuese! Performanca dhe sukseset janë përcaktuesit dhe garanca për ta pasur mbështetjen e shumicës absolute. FFK është institucion i organizuar dhe i monitoruar nga dy institucione shumë të fuqishme UEFA dhe FIFA.
FFK ka organet e veta legjitime që janë të pavarura në vendimet që i marrin dhe llogaridhënia eksluzivisht shkon në këto dy institucione, të cilat janë edhe financuesit e të gjitha projekteve të FFK-së. Kjo është një ndër parimet themelore të UEFA-s dhe FIFA-s për mbrojten e federatave nga ndikimet e jashtme çfarëdo qofshin ato! Dhe kjo nënkupton që çdo tendencë për të ndikuar nga jashtë në organet legjitime të FFK-së konsiderohet shkelje e rëndë, me pasoja edhe më të rënda!
Me shumicë apsolute të organeve legjitime të FFK-së dhe në bazë të performancës dhe sukseseve për mandatin e kaluar, si dhe programin për 4 vitet e ardhshme, Agim Ademi do të vazhdojë të jetë president i FFK-së edhe në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. E kjo nënkupton edhe mbështetje të pacenueshme të UEFA-s dhe FIFA-s. E gjithë kjo i pengon destruktivët dhe të pashpresët, me tendencë rrënimi!
FFK është vlerë shumë e veçantë e shtetit tonë. Është institucion i vlerësuar jashtë mase nga faktorët ndërkombëtar për ecurinë e deritanishme. Të gjykojmë drejt e pastër dhe ta ruajmë këtë vlerë shumë të çmuar nga vetja jonë! Mos të kërkojmë pastaj faj nga të tjerët! Përgjegjësitë janë tonat!