Emre Can i ka bërë thirrje bashkëlojtarit të vet te Borussia Dortmund, Jadon Sancho, të rritet dhe të tregojë pjekuri, pasi ylli anglez u gjobit sepse i preu flokët në shtëpi, duke e shkelur ligjin gjerman për koronavirusin.
Sancho dhe bashkëlojtari i vet Manuel Akanji u gjobiten nga liga gjermane, pasi u publikuan fotografi ku ata shiheshin duke i qethur flokët në shtëpitë e veta përkatëse pa asnjë mjet apo masë mbrojtëse ndaj koronavirusit si lojtarët ashtu edhe berberët, transmeton GE.
Menjëherë pasi u gjobiten, Sancho, i cili kërkohet nga shumë klube evropiane, shkroi në Twitter: “Çfarë shakaje, DFL!”
Can është lidhur ngushtë me Sanchon që prej se iu bashkua Dortmundit nga Juventusit në janar dhe beson se përfaqësuesi i Anglisë duhet të këshillohet jashtë fushës, në mënyrë që të jetë në gjendje të marrë vendime më të mençura.
“Jadon ka nevojë për këshilla. Ai është djalosh i mrekullueshëm edhe jashtë fushës. Është e vërtetë që unë shkoj shumë mirë me të”, tha Can.
“Ai thjesht duhet të jetë më i mençur sa i përket këtyre gjërave. Të gjithë kanë nevojë për berber. Ai duhet të rritet. Ai nuk guxon të bëjë gabime të tilla në të ardhmen”, shtoi Can.