Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka thënë se është i lumtur që i ka arritur qëllimet e veta, përkundër që sezoni 2019/20 rezultoi të ketë qenë i vështirë për të. Portieri veteran italian u kthye në skuadrën e Juventusit pas një sezoni me Paris Saint-Germaminin. Kthimin e tij e shënoi duke thyer rekord për më së shumti paraqitje në Serie A, ndërsa e festoi edhe titullin e dhjetë me “Zonjën e Vjetër”.
“Jam i lumtur. Ishte shumë e rëndësishme për mua të vija këtu, përndryshe do të më kishte mbetur diçka e papërfunduar”, ka thënë Buffon, në intervistën e dhënë për Il Corriere dello Sport.
“Unë e kisha synim t’i arrijë dhjetë tituj të Serie A, pasi dy më ishin vjedhur. E arrita këtë qëllim, madje edhe rekordi për paraqitje më kënaq. Por, nuk ka qenë aspak një sezon i lehtë. Unë jam përshtatur gjithmonë, jam altruist për nga natyra. Por, më është dashur të përballem me atë që e përfaqësoja dhe që mendoj se e përfaqësoj ende”, shtoi më tej Buffon.
Ai ka qenë portieri i dytë i Juventusit, pas Wojciech Szczesnyt, që nga kthimi i tij në Allianz Stadium. “Unë e kam testuar veten, Jam shumë krenar me veten sepse e kam kaluar këtë test. Unë gjithmonë e kam urryer arrogancën dhe kjo ka qenë një mënyrë për ta testuar veten, për të thënë që s’jam arrogant”, përfundoi portieri i Juventusit.